“Triller” i Mihal Gramenos/Çifti i ri që u vra dhe kujtimet e trimit të çetës së Çerçizit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.12.2017, 08:57

Nga MARIN MEMA

Po të mos ishte për Mihal Gramenon, historia e bëmave të çetës së Çerçis Topullit nuk do të kishte shkëlqimin që ka. Në rolin edhe të kronistit të çetës, Mihal Grameno, me dhuntitë e tij prej patrioti të ditur sjell detaje nga jeta, dinamikat, vendimet, të papriturat, organizimi i çetës, të gjitha të përshkruara me detaje nga pena e tij.

Ngjarja e parë zë fill ditët kur çeta e Çerçizit ishte duke zbritur nga malet diku në zonën e Çamërisë. Grameno tmerrin e asaj që u shfaq e quan një pamje të çuditshme të natyrës.

1

Ai rrëfen:

U rrëzua prej qiellit një dritë aq e madhe, sa u tmerruam që të gjithë. Unë besoj se ishte nonjë trup qiellor..."

Padyshim, e ndodhur sot kjo ngjarje do të studiohej më thellë e me siguri njerëzit aq shumë të dhënë ndaj lidhjes mes shkencës dhe dukurive të tilla, do ta justifikonin me prezencën e ndonjë UFO-je.

Grameno kur përshkruan momentin e përplasjes së këtij objekti qiellor, rrëfen se pas rrëzimit të tij u dëgjua një buçitje shumë e madhe.

Por kjo dukuri nuk i ka stepur aspak luftëtarët e çetës së Çerçizit të cilët e kanë vijuar më tej rrugëtimin e tyre përtej në malet e Libohovës, derisa arritën në një zonë stanesh ku vendosin të qëndrojnë disa ditë. Këtu zë fill një tjetër histori, sa e pabesueshme për kohën aq edhe e dhimbshme...

Përmbi Libohovë ndodhej stani i Çarçanit. Aty luftëtarët e çetës nuk kanë gjetur aspak një situatë të lehtë.

2

Grameno rrëfen:

Mjerisht e gjetmë shumë të brengosur e të helmuar mikun tonë të shtrënjtë, nga shkaku se u kishte ngjarë një dramë familjare, fort e tmerruarë në shtëpi të tyre".

Ajo që në fakt asokohe Grameno e quante dramë të tmerrshme, është sot trend i historive rozë të shoqërisë moderne, ku secili mund ta jetojë jetën si të dojë. Historia ishte se një nga nuset e të bijve të të zotit të shtëpisë kishte shkelur nderin, duke zënë sipas tij udhë të ligë.

Por se çfarë ndodh më pas Grameno e shkruan kështu:

Me t'u vërtetuar me prova të plota përmbi këtë turp, vendosnë bashkërisht, me prindërit e nuses që t'i vrasën të dy të dashurit. Një herë vendosur, virer në veprim vendimi, duke i rojtur një mbrëmë kur u bashkuan nusja me të dashurin, edhe kësisoj i vranë që të dy!"

3

Por kush ishin vrasësit?! Ata ishin i shoqi i gruas me dy vëllezërit e tij, edhe me dy të kunetrit, domethënë me të vëllezërit e gruas. Gramenon e çudit fort kjo dramë, veçanërisht sa i takon mënyrës së përmbushjes së dënimit, por aq më shumë kur pa se babai i gruas së vrarë dhe vëllezërit e saj e mbanin bagëtinë të bashkuar me Çarçanin, vjehrrin që propozoi vrasjen e bijës dhe motrës së tyre.

Dhe si mos mjaftonte kjo, të gjithë bashkë jetonin edhe me një dashuri të madhe me njëri tjetrin...

Sot, kjo ngjarje do të frymëzonte industrinë e trillerit, një histori që ndoshta do të lakmohej për skenar kinematografik, por që mesa duket është aq e vërtetë sa s'ka ku të shkoj. Këto ishin disa nga rrëfimet e Mihal Gramenos. Duken si prapaskenat e një telenovele të gjatë, me detaje aq mbresëlënëse, që për mënyrën se si jetohet sot, mund të ngjajnë edhe sajime, por jo...

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit