
Pas postimit të bërë sot nga lideri i opozitës në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ku një polic i Fierit denonconte pengmarrjen e një personi, ka reaguar Policia e Shtetit.
Lulzim Basha postoi pasditen e sotme denoncimin e një polici nga qyteti i Fierit i cili shpjegonte se pengmarrja ndaj një qytetari ishte kryer nga sponsori më i madh i Partisë Socialiste, Renato Çami.
Sipas policit, atë e kishin marrë peng prej 3 ditësh dhe shpjegonte se policia e Fierit kishte frikë të arrestonte autorin pasi Çami është sponsori më i madh i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Pasi e kishin liruar, qytetari kishte mbërritur në spital në gjendje të rëndë dhe kishte deklaruar se e kishte marrë peng Renato Çami, por policia nuk kishte marrë asnjë masë ndaj këtij të fundit.
Pas kësaj, në denoncimin e tij polici shton se, Çami sëbashku me Klajdi Crragën, i kishin shkuar në spital dhe e kishin torturuar duke e detyruar kështu të ndryshonte dëshminë e tij.
Polici deklaron se Policia e Fierit e ka fshehur ngjarjen.
Postimi i plotë i Bashës në “Facebook”:
Për këtë ngjarje ka patur një reagim nga Policia e Shtetit, sipas të cilës ngjarja nuk është mbajtur e fshehtë por është referuar në Prokurorinë e Fierit, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për identifikime autorëve.
Policia e Shtetit thotë se ngjarja është publikuar në faqen zyrtare të Policisë në internet, asp.gov.al dhe ngjarja është denoncuar në datën 3 tetor të këtij viti në komisariat nga një 20-vjeçar me inicialet F.L.
Burime nga policia thanë se kallëzuesi nuk ka dhënë asnjë emër, por ka bërë vetëm një përshkrim fizik të autorëve duke pretenduar se nuk i njihte.
Në denoncimin e kreut të opozitës, historia rrjedh krejt ndryshe.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale ‘Heqje të paligjshme të lirisë’, parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se më datë 02.10.2017, në lagjen ‘1 Maj’, Fier, është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë”.
Kush është Renato Çami?
Emri i vërtetë i Renato Çamit është Renato Saliu dhe është konsideruar vazhdimisht si eksponent krimi në qytetin e Fierit.
Krahu i tij i djathtë është konsideruar shtetasi Gramoz Yzeiri, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, person me precedentë të shumtë penalë.
Sëbashku me Çamin dyshohen se kanë vrarë në bashkëpunim Xheladin Qelinë, në vitin 1998 në qendër ët Fierit.
Vrasja
Policia ka deklaruar se Qelia kishte qenë duke udhëtuar me motor me një tjetër person me inicialet Sh.J kur është ndaluar nga Yzeiri dhe Çami.
Ata e kanë qëlluar me breshëri automatiku dhe janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.