Marjel Fierza është 30-vjeçari të cilit iu dha masa “arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit pasi u kap duke udhëtuar në automjetin e tij tip “Posche” ditën e djeshme me dy armë zjarri të tipit “Beretta”.
Fierza udhëtonte sëbashku me 34-vjeçarin Genti Ndërjaku, ndaj të cilit u lëshua masa “detyrim paraqitje” nga gjykata.
30-vjeçari deklaroi se e kishte gjetur çantën me armë në parkimin e një lokali ku ishte ulur për të pirë kafen dhe se ishte nisur për ta dorëzuar në polici.
Prokuroria deklaroi se ai kishte tentuar ta hidhte çantën me armë nga xhami i automjetit sapo kishte pikasur policinë.
Në një raport të Ministrisë së Brendshme Marjel Fierza cilësohet si “ushtar” i Lul Berishës, kapos së bandës famëkeqe të Durrësit. Ai njihet për drejtimin e saj 10-vjeçar edhe kur gjendej në qelitë e burgut.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor Fierza u ka shpëtuar 2 atentateve ndaj tij në vitin 2010 dhe 2012.
Në vitin 2010 Fierzës i hodhën në erë makinën, ndërsa në vitin 2012 iu bë atentat me breshëri automatiku. Kjo është edhe arsyeja pse ai lëviz i armatosur.
Ai plagosi një person me inicialet A.A në vitin 2010 dhe u dënua me 15 vite burg nga Gjykata e Durrësit, por Apeli e shpalli të pafajshëm.
Në vitin 2005 Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë e ka dënuar me 5 vite burg për akuzën “Vrasje në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.
Nuk përjashtohen dyshimet nga policia se Fierza mund të kishte qenë duke planifikuar ndonjë atentat të mundshëm.
Duke qenë pjesë e bandës së Lul Berishës, atij shpesh i delegoheshin urdhra nga kapobanda e Durrësit dhe kjo gjë ndër të tjera e ka vënë gjithnjë në shënjestër të rivalëve të bandës.