Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.10.2017, 08:18
Përveç vendalinjve, janë të paktë ata që e dinë se përse një nga zonat më të njohura në qendër të kryeqytetit quhen pikërisht “Shallvare”. E konsideruar si një pikë orientimi, “Shallvaret” kanë ruajtur këtë emër pavarësisht sistemeve që kanë ndërruar. Cila është historia e Shallvareve, dhe pallateve që morën emrin e zonës?
Orhan Sakiqi, inxhinier ndërtimi, që ka banuar në shtëpinë e Këlliçve, në qendër të Shallvares, kujton ndërtimin e tyre, ballkonin-tribunë të shtëpisë ku vinte për të ndjekur aktivitetet festive e sportive Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha.
Sa i takon emrit të këtij vendi, në një intervistë për "Panorama", Këlliçi thotë:
Janë dy mundësi: E para, emri mund të jetë marrë nga Miltiadh Shallvari, një pasanik tokash. Së dyti, Shallvare në turqisht, sipas prof. Demir Alizoti, do të thotë brekushe. Kjo edhe nga thënia e historianit Agim Bardhi, sipas të cilit fusha ka shërbyer si shesh lojërash për garnizonin turk, i cili ndodhej fare afër, përballë Bankës së Shtetit. Më pas, në vitin 1916, sheshi është përdorur si pistë avionësh për ushtrinë austriake".
Ndër të tjera ai kujtin ndërtimin e lagjes si dhe të pallateve "Agimi".
Për pjesën e "Shallvareve" ai thotë:
Duke qenë se Tirana nuk kishte ndërtime të mjaftueshme, dhe pas prishjes me Jugosllavinë kërkoheshin ndërtime masive, me idenë që të jenë pranë Komitetit Qendror, rreth Bllokut, pra, të një elite qeveritare që po krijohej. Për të ndërtuar bllokun e madh me pallate, u shfrytëzua zona e Shallvares si e lirë që ishte dhe në qendër të Tiranës. Pamja kryesore e Shallvareve ishte e zgjedhur mirë, nga lindja, pasi përballë saj ishte vetëm lulishte “Rinia”, e cila brenda një nate u mboll me pemë nga studentët e Institutit Bujqësor.
Shtëpia jonë nuk u prek, pasi ndërtimi përfshinte zonën para saj. Arkitekti ishte Gani Strazimiri, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. U aplikua stili klasik rus, pasi ashtu ndërtohej në ato vite në republikat sovjetike e për pasojë edhe në Shqipëri. Punohej kryesisht me mjete primitive, me skelete dërrase, me tulla, apartamente të vogla, po kështu ballkonet, ndërtesa të mbuluara me çati që më vonë u hoqën duke mos e ruajtur stilin e vjetër. Gati tre vjet, 1951-1953, vazhdoi ndërtimi i plotë i pallateve në Shallvare. Pastaj u vijua me pallatet “Agimi”, matanë Lanës, edhe këto të stilit total sovjetik, madje projekte të ngjashme me ato që ndodhen në Moskë".
Ndërsa për pallatet "Agimi", Këlliçi kujton:
Janë vite ku rritet në mënyrë progresive e të shpejtë numri i popullsisë së Tiranës dhe pikërisht në atë periudhë kërkesa për ndërtimin e pallateve, shtimin i apartamenteve, ishte imediate. Duke shfrytëzuar sërish terrenin e lirë, sapo përfundoi objekti i pallatit të Shallvareve, në vitet 1953- 55 u punua për ndërtimin e atyre “Agimi”, paralel në krahun tjetër përgjatë Lanës, që ishin si një vazhdimësi e pallateve të Shallvareve, pasi edhe për to u aplikua e njëjta strukturë arkitektonike".
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR