Sa herë që ndryshojnë qeveritë, në Shqipëri aplikohet diçka e re në arsim. Madje, edhe kur konfirmohet e njëjta parti fituese! Reformat në arsim janë “mezja” e çdo reforme tjetër, si për të treguar se Filan Kryeministër mendon për të ardhmen dhe është dy hapa para të tjerëve.
Sa gabim jemi!
Këtë na e mëson Finlanda, aktualisht shteti me ndryshimet më të mëdha në arsim, aty ku po vendosen rekorde vit pas viti me sukseset e arritura. Si po e bëjnë finlandezët këtë?
Shumë e thjeshtë. Fillimisht, ata trajnojnë mësuesit. Atje mund të jesh mësues 60 vjeç, por nëse bëhet një reformë gjigante, duhet të ndryshosh edhe ti, jo vetëm fëmijët dhe librat. Mësuesit paguhen për t’u trajnuar, që të mësojnë si t’ua transmetojnë dijet nxënësve. E kundërta ndodh në Shqipëri. Reformat ndërrohen si brekët, librat huazohen nga çdo vend i botës me përkthime qesharake çdo vit dhe mësuesit jetojnë ende në kohën e komunizmit dhe punojnë me metoda ruse. Ata nuk e dinë vetë se çfarë ka libri që u vjen dhe as nuk trajnohen për të marrë vesh të rejat e fundit.
Shkurt: mund të jesh shumë i ditur në fushën e biologjisë, por kush e garanton se do të jesh një mësues i mirë i biologjisë? Mësuesit testohen a dinë të transmetojnë dije, jo thjesht a i dinë vetë ushtrimet. Kur dreqin do ta kuptojmë se mësuesit nuk duhet të testohen më si studentë, por si mësues?
Kalojmë tek elementi i dytë: ndërrimi i brezave. Finlanda na tregon gafën e rëndë që qeveritë tona bëjnë të paktën çdo katër vite. Atje, kur nisi reforma e madhe në arsim, nuk e “hëngri” asnjë nxënës i klasës së pestë apo i vitit të dytë. Jo, nuk ka shans! Reforma finlandeze nisi me fëmijët e kopshteve. Kjo do të thotë se nxënësit e një sistemi të vjetër duhet ta çojnë deri në fund të shkollimit të tyre atë mënyrë të nxëni që kanë nisur.
Po kush e kupton këtë në Shqipëri? Këtu një fëmijë e nis shkollën me një sistem, nga klasa e gjashtë përfshihet në një sistem tjetër dhe diku nga viti i dytë merr vesh që duhet të blejë disa libra të tjerë të përkthyer nga Franca, me tema që as mësuesit e tij nuk i dinë, vetëm që kryeministri të thotë “solla ndryshime”. Maturantët? Viktimat e para, ata të cilët çdo muaj marrin vesh diçka të re, derisa detyrohen shpesh edhe ta kalojnë një vit pushim... për të pritur një sistem tjetër.
Fëmijët tanë trajtohen si kavie laboratori. Ky është krim!
E ardhmja, në duar të sharlatanëve! /JOQ.al