E martë, 3 tetor 2017, kjo është dita e berberëve!
Që në orët e para të mëngjesit ka nisur manifestimi i një tradite disavjeçare në vendin tonë, ku mijëra shqiptarë qethen e rruhen për t'u bërë si pëllumba. Kujdesemi deri në detaje dhe ndryshe nga javët e tjera, e kemi thyer disi monotoninë dhe nuk bëjmë dush vetëm të dielën, por edhe sot, të martën, pak minuta pas qethjes e rruajtjes.
Besojmë se e kuptuat: sot nis Lotaria Amerikane! Nëse pas vdekjes kemi Ditën e Gjykimit, gjatë jetës kemi çdo tetor Muajin e Shpëtimit nga kjo tokë e larë në gjak, por kurrë e nderuar nga qeveritarët e pangopur.
Çdo djalë dhe vajzë e re shqiptare, por edhe ata të cilët kanë fëmijë dhe praktikisht e kanë mbyllur fazën më të rëndësishme të jetës, kujdesen që të mos kenë asgjë të pazakontë në fytyrë. Sidomos djemtë! Mjekra nuk lejohet. Jo, kurrsesi! Mos t'u dukemi si myslimanë të frikshëm amerikanëve, se kujtojnë se jemi me ata të ISIS-it! As stilet e çuditshme të flokëve, që të mos thonë se jemi ekstravagantë!
Jo, duhet të dukemi të thjeshtë, gati për të larë pjatat plot yndyrë të amerikanëve, për të fshirë rrugët e tyre dhe, pse jo, për t'u mbajtur fëmijët, pasi të kemi braktisur tanët.
Ah, po! Sot është edhe dita e fotografëve! Shqiptarët duhet të bëjnë një foto të muajve të fundit, por e bëjnë sot, më mirë, se nuk i dihet. "Amerikoni kshu ka thon", – i thotë shoku-shokut.
Mos harroni, ora 18:00, drejtpërdrejt për... Amerikë! /JOQ.al