Balena Blu” quhet loja e frikshme që ka marrë jetën e dhjetëra fëmijëve në botë e që me sa duket ka mbërritur edhe në Shqipëri. Edhe pse autoritetet nuk e pohojnë këtë, janë vetë fëmijët që thonë se e luajnë lojën dhe dinë shumë detaje rreth saj.
Këto janë pohimet e disa fëmijëve dhe adoleshentëve shqiptarë, të cilët jo vetëm e njohin lojën e “Balenës Blu” por edhe kanë rrezikuar të bien në kurthin e saj. Fëmijët pohuan për News 24 dhe BalkanWeb fakte tronditëse, dëshmi nga të cilat na rezulton se kjo lojë është më popullore sesa mendohet.
Pavarësisht se fëmijët pohojnë se po luajnë me këtë lojë, policia nuk ka marrë denoncime konkrete. “Deri në këto momente nuk kemi denoncime konkrete për këtë lojë”,- tha Artan Dashi, shef i krimit kibnerbetik në Tiranë.
Loja online e quajtur “Balena Blu” që sipas të dhënave nga mediat ndërkombëtare, mund të ketë vrarë mbi 140 fëmijë dhe adoleshentë vetëm në Rusi, mesa duket përbën rrezik potencial edhe për fëmijët shqiptarë, pasi ka mbërritur prej kohësh në rrjetet sociale të adoleshentëve më së shumti në Messengerin e Facebook-ut. Për këtë janë sërish fëmijët që sqarojnë sesi kontaktohen nga drejtuesit e lojës.
Torturat e njëpasnjëshme nga kërkesat e një të panjohuri nisin përmes një presioni psikologjik dhe fëmijët krijojnë varësi nga një njeri i panjohur përtej kompjuterit. Fëmijëve iu kërkohen sfida të vështira dhe të dhimbshme, si p.sh të presësh veten me thikë, të zgjohesh në orën 4:20 të mëngjesit për të parë videot horror që të dërgon personi anonim dhe sfida të tjera të dhimbshme që i jepen fëmijës për 50 ditë, deri në sfidën e fundit: Të hidhen nga tarraca e një pallati të lartë për tu shpallur fitues i sfidës.
Personi që e krijoi këtë lojë, një 21- vjeçar rus, pak kohë më parë deklaroi se objektivi ishin pikërisht fëmijët, të cilët i quajti “mbetje biologjike” dhe pretendoi se po “pastronte shoqërinë”. Philip Budeikin ndodhet aktualisht në burg pasi akuzohet se ka çuar drejt vetëvrasjes të paktën 16 vajza të reja në Rusi./BalkanWeb