Në redaksinë e JOQ.al, ka mbërritur një video kompromentuese e Ministrit të Brendshëm teknik Dritan Demiraj, i cili duket teksa ndërhyn në operacionin e Prokurorisë në sekuestrimin e prozhektorëve që dyshohen si shkaku kryesor i helmimit të dhjetëra personave që morën pjesë ditën e shtunë në mitingun hapës të Partisë Demokratike, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Demiraj, jashtë çdo kompetence ligjore ndalon oficerët e Policisë Gjyqësorë të bëjnë punën e tyre dhe ndërhyn kështu në punën e Prokurorisë.
Ai ka dalë mbi autoritetin që vendos mbi hetimet, duke kompromentuar provat hetimore duke i lënë ato të pambikëqyrura.
Prokuroria ka urdhëruar ekzaminimin e secilit prej tyre për vazhdimin e hetimit duke i konsideruar si prova pasi ka deklaruar se nuk dihet se nga cili prej prozhektorëve ka ardhur helmimi.
Demiraj i kërkon një oficeri të policisë gjyqësore të mos zbatojë vendimin e prokurorit dhe të kthejë mbrapsht prozhektorët e sekuestruar, pasi sipas tij vetëm një është i mjaftueshëm.
Biseda e zbardhur:
Ministri Demiraj: Janë për fushatë nesër.
Oficeri: Po dakord që janë për fushatë, por...
Ministri Demiraj: Ktheji të gjitha mbrapa. Merrni vetëm 1 dhe vazhdo procedurën konform ligjit. Dakord? Jo të 12-ta.
Oficeri: 11 kam unë këtu, aq sa kanë qenë në miting.
Ministri Demiraj: Po pra, por s’mund t’i marrësh të 11-ta se nesër ka miting subjekti politik. Ne nuk jemi këtu për të penguar subjektet politike.
Oficeri: Jo mo shef, se as e vë në diskutim fare unë këtë…
Ministri Demiraj: Të marrësh vetëm 1. Të tjerat… merre, 1 dhe bëje hetimin.
Kush i ka ngarkuar ata? Ktheji mbrapsht! Ku është ai i zoti i kësaj? Ke nesër aktivitet politik?
Përfaqësuesi i kompanisë: Po
Ministri Demiraj: Ku e ke?
Përfaqësuesi i kompanisë: Po s’e di, se na u ndërpre e gjithë procedura nga kjo punë.
Ministri Demiraj: Kjo s’ka sens mo… O çuna, kjo s’ka sens. Si merren 12 drita të objektit, të firmës që ka aktivitetin për subjektin politik. Me ç’a do e bëjë aktivitetin nesër ky.
Ministri Demiraj: Atë nuk është se… duhen të 12 –ta për të bërë hetim. Hetimi bëhet mbi 1 dhe dilet në konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen 12 armë.
Oficeri: O shef, ne kështu na kanë thënë…
Ministri Demiraj: Kthejini shpejt, shpejt. Urgjent! Kthejini mbrapa, vetëm 1 do merrni.