Peranxhela Shahini, e reja që u vetëvra në banesën e saj me armën e shërbimit nuk ka lënë pas asnjë letër, asnjë shënim e asnjë shenjë që të të çojnë drejt shkaqeve që e kanë shpënë vajzën drejt këtij akti.
Një nga brengat më të mëdha të familjarëve është edhe mungesa e informacionit në lidhje me faktorët që çuan bijën e tyre në vetëvrasje. Paraprakisht prokuroria dyshon se ka qenë fundi i një lidhjeje dashurore me jë kolegun e saj nga Tirana, ajo që ka çuar Peranxhelën në një gjendje të rënduar psikologjike, por ende asnjë gjë nuk është e sigurt.
Ekspertët dyshojnë se ndarja nga i dashuri e ka ngarkuar psikologjikisht të renë deri në atë pikë sa ajo t’i japë fund jetës. Por konfirmohet se nuk përjashtohen as pista të tjera sa i përket shkakut që e çoi efektiven 23- vjeçare t’i japë fund jetës, vetëm 3 vjet pasi u fut në radhët e Policisë së Shtetit.
Burime nga Prokuroria thanë për "Panorama" se nga hetimet e deritanishme Paranxhela Shahini rezulton të mos ketë pasur asnjë shqetësim tjetër serioz në jetën e përditshme dhe as për shkak të detyrës.
Pasi kanë rindërtuar skenën e krimit, agjentët e hetimit e konsiderojnë vetëvrasje “eksperte” ngjarjen e dy ditëve më parë.
Policja 23- vjeçare u vetëvra me armën e shërbimit paraditen e kësaj të mërkure, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët dhe misterin e një akti që la të shokuar jo vetëm të afërmit, por edhe kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin.
Familja e efektives që i dha fund jetës me armën e shërbimit ka vendosur ta varrosë vajzën e re me fustan nusërie, veshje që vajza nuk pati mundësi ta vishte kur ishte gjallë.
Ajo nuk ka lënë për familjarët asnjë letër të shkruar, ku të shpjegonte arsyet e aktit ekstrem. Ndërkohë që sipas burimeve, pritet që në ditët në vijim të pyetet edhe kolegu i saj në Tiranë në lidhje me këtë ngjarje.