Sot është ditë e diel dhe një pjesë e madhe e njerëzve, të paktën ata që e kanë zemrën të përvëluar, u drejtohen varrezave, ku "takohen, çmallen" e qajnë të dashurit e tyre që kanë nën dhè. Të shumtë kanë qenë qytetarët e Vlorës që i janë drejtuar varrezave të Babicës këtë mëngjes herët, por që u është dashur të përballen me një problem të madh.
Urbani i linjës Çole-Spital në qytetin bregdetar, i cili gjatë fundjavës shkon edhe deri në varrezat e Babicës, pra nuk ndalet tek Spitali Rajonal, ka pësuar defekt e ka nxjerrë tym nga pas, duke i lënë njerëzit e gjorë në mes të rrugës.
Varrezat ndodhen në një zonë larg qytetit, ku nëse nuk ke në dispozicion një mjet personal apo urbanin e shkatërruar të bashkisë, vështirë se mund të shkosh të qash të afërmin tënd. Mirëpo, ja që mjetit të bashkisë i doli tym nga pas dhe i la njerëzit në mes të rrugës, edhe pse kishin paguar paratë për transportin deri në destinacion.