Një banore e zonës së Rrugës Nacionale të Dajtit denoncon mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm prej më shumë se 24 orësh.
Sipas qytetares, ndërprerja ka nisur që prej orës 04:00 të mëngjesit të së shtunës dhe deri të dielën furnizimi me ujë nuk ishte rikthyer ende.
Ajo tregon se ka kontaktuar pesë herë shërbimin e klientit për të raportuar problemin, por përgjigjja ka qenë se rasti do të trajtohej me përparësi e pavarësisht kësaj, situata vijon të mbetet e pandryshuar.
Në pamjet e dërguara në redaksi, qytetarja tregon rubinetin pa ujë dhe enët e palara në lavaman, duke shprehur shqetësimin për vështirësitë që kjo ndërprerje po shkakton në përditshmëri, veçanërisht gjatë ditës së diel, kur familjet kryejnë punët e shtëpisë.
Banorja kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë.
Denoncimi mbetet një apel për institucionet përgjegjëse që të marrin masa për zgjidhjen e problematikës.