Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, ku po zhvillohet grumbullimi i pjesëmarrësve në protestën kombëtare të paralajmëruar për ditën e sotme.
Prania e qytetarëve po shtohet nga momenti në moment, ndërsa sheshi është gjallëruar nga flamujt kuqezi, por edhe nga vallet tradicionale, të shoqëruara me ritmin e tupaneve.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit pritet të nisin marshimin në drejtim të institucioneve shtetërore, në vijim të protestave kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Kujtojmë se protesta e një dite më parë u shoqërua me tensione dhe përplasje të ashpra mes demonstruesve dhe forcave të Policisë. Fillimisht, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për t'u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë, ku protestuan me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola.
Situata doli jashtë kontrollit kur policia ndërhyri për të mos lejuar qëndrimin e protestuesve përpara godinës së Kryeministrisë. Për shpërndarjen e turmës, efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion, ndërsa nga ana e protestuesve pati hedhje gurësh dhe koktejsh molotovë.
Përplasjet vijuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t'u zhvendosur më pas sërish në sheshin “Skënderbej”. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori edhe dronë për shpërndarjen e gazit lotsjellës.