Situata ka degjeneruar në përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku përshkallëzimi i tensioneve ka sjellë përdorimin e mjeteve të forta nga të dyja palët.
Nga ana e protestuesve janë hedhur gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të kordonit policor. Ndërsa është ndërhyrë me mjete shpërndarëse, duke përfshirë topa uji, plumba gome dhe gaz lotsjellës nga ana e policisë.
Gazi lotsjellës ka shkaktuar vështirësi të mëdha dhe ka paralizuar lëvizjen e protestuesve në zonën e përplasjeve, duke rritur kaosin dhe tensionin në rrugë. Forcat e rendit vijojnë të mbajnë perimetrin e sigurisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.