Një tjetër mëngjes shqetësues për banorët e Elbasanit. Një re e madhe tymi, që ngrihet nga zona industriale e Metalurgjikut, ka mbuluar qytetin, duke krijuar një pamje alarmante dhe duke rikthyer në vëmendje shqetësimin e vazhdueshëm për ndotjen e ajrit.
Pamjet e mbërritura në redaksi tregojnë tymin që del nga zona e fabrikave të metalurgjisë, ndërsa qytetari që i ka dërguar thotë se kjo situatë përsëritet thuajse çdo mëngjes, veçanërisht në kushte atmosferike me reshje shiu.
Sipas tij, dyshimet janë se fabrikat nuk përdorin filtrat e nevojshëm për trajtimin e shkarkimeve industriale, duke bërë që tymi dhe era e rëndë të përhapen në qytet dhe të kthehen në një shqetësim të përditshëm për banorët.
Frika për pasojat që kjo ndotje mund të ketë në shëndetin e qytetarëve është gjithnjë e pranishme. Banorët ngrenë shqetësime për ekspozimin e vazhdueshëm ndaj ndotjes dhe kërkojnë transparencë mbi nivelin e emetimeve dhe ndikimin e tyre në shëndet.
Përballë kësaj situate, banorët kërkojnë reagimin e institucioneve përgjegjëse, kryerjen e matjeve të cilësisë së ajrit dhe kontrolle të imtësishme në subjektet industriale, për të verifikuar nëse respektohen standardet mjedisore dhe nëse sistemet e filtrimit janë funksionale.
Elbasani nuk mund të zgjohet çdo mëngjes nën një re tymi. Banorët kërkojnë përgjigje, transparencë dhe mbi të gjitha ajër të pastër.