Mbi 2500 efektivë në terren për protestën Kombëtare, në gatishmëri RENEA dhe FNSH

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.11.2026, 08:38

Mbi 2500 punonjës policie pritet të angazhohen sot në Tiranë për garantimin e sigurisë gjatë protestës së studentëve, e cila do të nisë në orën 10:00 para Ministrisë së Arsimit dhe më pas pritet të vijojë në drejtim të Kryeministrisë.

Për organizimin e tubimit është hartuar një plan i posaçëm masash, pas një takimi të zhvilluar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me drejtuesit e strukturave përkatëse. Në terren do të jenë jo vetëm uniformat blu, por edhe punonjës policie në veshje civile.

Në planin operacional janë përfshirë forcat e gjashtë komisariateve të Tiranës, të mbështetura edhe nga strukturat policore të Vorës dhe Krujës. Përveç efektivëve të rendit, në gatishmëri do të jenë FNSH-ja, reparti special RENEA, njësitë Shqiponja dhe Policia Rrugore.

Policia ka parashikuar gjithashtu vendosjen në gatishmëri të automjeteve ujëhedhëse, të cilat mund të përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës apo shfaqjes së akteve të dhunshme.

Siguria do të përqendrohet kryesisht në institucionet ku pritet të zhvillohet protesta apo pranë të cilave mund të kalojë itinerari i saj. Nën masa të shtuara do të jenë Ministria e Arsimit, Kryeministria, Kuvendi i Shqipërisë dhe selia e Partisë Socialiste.

Kontrolle në kufi për personat që mund t'i bashkohen protestës

Pjesë e planit të sigurisë do të jenë edhe pikat e kalimit kufitar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kontrollet do të jenë më të imtësishme, ndërsa në këtë proces, krahas Policisë Kufitare, do të përfshihen edhe strukturat e Antiterrorit.

Sipas burimeve policore, objektiv i verifikimeve do të jenë personat për të cilët ka informacione se kanë bërë thirrje për dhunë apo mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Këto masa vijnë në kuadër të informacioneve për pjesëmarrjen e mundshme në tubim të grupeve të organizuara nga dy vendet fqinje.

Efektivët do të nisin pozicionimin në terren që prej orës 07:00, ndërsa Policia Rrugore do të monitorojë veçanërisht Rrugën e Durrësit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kufizimet dhe devijimet e qarkullimit do të përcaktohen në varësi të lëvizjes së protestuesve.

Protesta është paralajmëruar prej disa ditësh nga organizatorët, të cilët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. Mes kërkesave të protestuesve është edhe largimi i kryeministrit Edi Rama.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit