Një i ri shqiptar ka mbetur i vrarë gjatë një operacioni të policisë italiane në San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje, ndërsa një tjetër person ka arritur të arratiset.
Sipas raportimeve paraprake, efektivët e policisë kishin ndërhyrë në një banesë për arrestimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia. Gjatë operacionit dyshohet se ka pasur një shkëmbim zjarri, si pasojë e të cilit shqiptari ka humbur jetën.
Banorët e zonës kanë dëshmuar se kanë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, ndërsa policia ka nisur kërkimet për kapjen e personit të arratisur.
Identiteti i shqiptarit të vrarë nuk është bërë ende publik, ndërsa mbetet e paqartë nëse plumbat që i morën jetën janë qëlluar nga efektivët e policisë apo nga personi tjetër i përfshirë në ngjarje.
Autoritetet italiane nuk kanë dhënë ende detaje mbi arsyet e operacionit dhe veprat penale për të cilat kërkoheshin dy personat.