Hakerët depërtojnë në sistemin kompjuterik të Forcave Ajrore amerikane, rrezikohen të dhënat për raketat dhe bombat

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.11.2026, 18:37

Hakerët kanë arritur të depërtojnë në platformën kompjuterike Cloud One të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave të ndjeshme ushtarake.

Sipas një investigimi të publikuar nga Reuters, ndërhyrja u zbulua gjatë punimeve për përditësimin e sistemit, brenda muajit të fundit. Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, sa i gjerë ka qenë depërtimi apo nëse autorët kanë arritur të vjedhin të dhëna.

Platforma Cloud One, e krijuar në vitin 2017, përdoret për administrimin e një sërë shërbimesh ushtarake, përfshirë të dhënat e personelit, logjistikën dhe mirëmbajtjen. Ajo mbështet gjithashtu sisteme që përpunojnë të dhënat e radarëve të mbrojtjes ajrore në Amerikën e Veriut dhe një sistem tjetër që gjurmon inventarin e bombave dhe raketave në më shumë se 200 baza të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.

Sipas burimeve të Reuters, hakerët dyshohet se kanë shfrytëzuar një dobësi në softuer për të hyrë në pjesën qendrore të administrimit të platformës. Kjo mund t'u jepte teorikisht mundësi të shihnin të dhëna mbi gjendjen operacionale të avionëve ushtarakë apo lëvizjen e pjesëve rezervë, por nuk ka prova se kanë arritur të kenë qasje në këto informacione.

Zbulimi i ndërhyrjes ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e platformës. Disa përditësime janë bllokuar, ndërsa disa përdoruesve u janë hequr të drejtat e administratorit. Sipas Reuters, Komanda Kibernetike e ushtrisë amerikane është përfshirë për të vlerësuar dëmet.

Edhe NBC News konfirmoi se hakerët kanë depërtuar në platformën kompjuterike të Forcave Ajrore, ndërsa një zëdhënës i këtij institucioni deklaroi se nuk komenton mbi sigurinë apo dobësitë e sistemeve të veçanta.

Deri më tani, autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur nëse janë marrë të dhëna nga sistemi apo nëse informacionet e ndjeshme ushtarake kanë përfunduar në duart e sulmuesve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit