“Edil Centro” nuk heq dorë, tymi i rëndë zhduket ditën dhe rishfaqet natën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.11.2026, 08:57

Vetëm pak ditë më parë, pas denoncimeve të vazhdueshme të publikuara në JOQ, raportuam se tymi që dilte nga oxhaku i fabrikës së tullave dhe tjegullave Edil Centro, në Laprakë, ishte zhdukur.

Në pamjet e publikuara asokohe, oxhaku nuk nxirrte më shtëllungat e dendura të tymit që prej kohësh shqetësonin banorët e zonës. Por qetësia duket se ka zgjatur pak. Tymi i rëndë është rikthyer sërish, duke ngritur pikëpyetje mbi atë që ndodh në fabrikë dhe mbi masat e marra për të parandaluar ndotjen.

Banorët denoncojnë se tymi shfaqet sërish, kryesisht gjatë orëve të natës, ndërsa gjatë ditës oxhaku duket i qetë. Një situatë që rikthen shqetësimin e komunitetit dhe ngre dyshime se ndërprerja e mëparshme mund të ketë qenë vetëm e përkohshme.

Prej kohësh, banorët e Laprakës kanë denoncuar daljen e tymit nga oxhaku i fabrikës në orët e mëngjesit, në mesditë dhe deri vonë gjatë natës. Ata shprehen se ndotja po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe në shëndetin e familjeve të tyre.

Sipas dëshmive të banorëve, situata i ka detyruar të mbajnë dritaret e banesave të mbyllura dhe të kufizojnë daljet e fëmijëve në ambientet e jashtme.

Ndërsa tymi rikthehet, banorët presin që institucionet përgjegjëse të reagojnë dhe të verifikojnë situatën, në mënyrë që ndotja të mos mbetet një problem që zhduket vetëm përkohësisht nga pamjet, por vazhdon të shqetësojë komunitetin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit