“Sistemi gabon, ne humbasim vendin e punës”, infermieri denoncon QSHA-në për pyetjet e gabuara në provimin e punësimit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.11.2026, 22:01

Pas vitesh studimi dhe diplomimit me rezultate të shkëlqyera, një infermier përballet me një tjetër pengesë për të siguruar një vend pune: përgjigjet e një sistemi provimi që, sipas tij, bien në kundërshtim me vetë literaturën mjekësore.

I diplomuari në Infermieri të Përgjithshme i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar problematikat në provimin e digjitalizuar të punësimit, të zhvilluar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA).

Kandidati ka marrë 90 pikë në provimin e zhvilluar gjatë periudhës tetor-nëntor 2026, por pretendon se dy përgjigje të sakta i janë vlerësuar si të gabuara nga sistemi.

Ndryshe nga provimet e zakonshme, ky testim nuk përcakton nëse kandidati kalon apo mbetet, por shërben për renditjen e profesionistëve që konkurrojnë për një vend pune. Në këto kushte, edhe një pikë e vetme mund të bëjë diferencën mes punësimit dhe mbetjes pa punë.

Dy pyetjet që bien ndesh me literaturën mjekësore

Në pyetjen e parë, kandidatëve u kërkohej të identifikonin përjashtimin mes disa karakteristikave të infeksionit nga Hepatiti A. Sipas dokumentacionit të dërguar nga denoncuesi, sistemi njihte si përgjigje të saktë alternativën ku thuhej se Hepatiti A transmetohet nëpërmjet rrugës fekal-orale.

Mirëpo, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmon se pikërisht kjo është mënyra kryesore e transmetimit të këtij virusi. Ndërkohë, manifestimet jashtë mëlçisë konsiderohen atipike, duke mbështetur argumentimin e kandidatit dhe ngritur pikëpyetje mbi formulimin dhe vlerësimin e testit.

Problematika e dytë lidhet me përçimin e impulsit nervor. Kandidatëve u kërkohej të identifikonin thënien e pasaktë, ndërsa sistemi, sipas denoncuesit, kishte përzgjedhur parimin “gjithçka ose asgjë”, një nga parimet bazë të fiziologjisë.

Literatura shkencore konfirmon se një stimul më i fortë nuk rrit amplitudën e potencialit të veprimit, por mund të rrisë frekuencën e impulseve nervore, ashtu siç ka argumentuar edhe kandidati në ankesën e tij.

QSHA refuzon ankesën pa argumentuar përgjigjet

Më 2 nëntor, infermieri ushtroi të drejtën e ankimimit, duke paraqitur argumente shkencore për të dyja pyetjet.

Më 19 nëntor, ai thotë se mori përgjigjen nga QSHA. Në dokumentin zyrtar të vënë në dispozicion të redaksisë, të firmosur nga drejtoresha e përgjithshme Aida Myrto, bëhet e ditur se komisioni ka vendosur të mos ndryshojë rezultatin e provimit.

“Pretendimet e ankimuesve janë të pabazuara, duke konfirmuar saktësinë e pyetjeve të sistemit”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

Megjithatë, në faqen e dokumentit të dërguar në redaksi nuk paraqitet asnjë argumentim shkencor për pyetjet e kontestuara dhe asnjë referencë nga literatura mjekësore që të justifikojë vendimin e komisionit.

Sipas denoncuesit, problematika nuk është një rast i izoluar. Ai pretendon se pyetjet e gabuara përsëriten prej vitesh, ndërsa procesi i ankimimit është kthyer në një formalitet që nuk u jep zgjidhje profesionistëve.

“Unë nuk po kërkoj favor. Po kërkoj pikët që më takojnë me meritë”, shprehet ai.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e testeve, transparencën e komisioneve të vlerësimit dhe besueshmërinë e procesit të punësimit të profesionistëve të shëndetësisë.

Kush i harton këto pyetje? Mbi cilën literaturë bazohen përgjigjet e sistemit? Kush mban përgjegjësi nëse një profesionist humbet mundësinë e punësimit për shkak të një gabimi institucional?

QSHA duhet të japë një shpjegim të argumentuar shkencërisht për këtë rast dhe jo thjesht të deklarojë se sistemi është i saktë.

Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë vetëm për disa pikë në një provim, por për të ardhmen profesionale të njerëzve që kanë investuar vite të jetës së tyre në arsimim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit