Autoritetet serbe kanë vënë në pranga Dragan J. Vuçiçeviçin, pronarin dhe kryeredaktorin e televizionit dhe tabloidit “Informer”, i njohur si një prej zërave më të afërt mediatikë të ish-presidentit Aleksandar Vuçiç.
Ndalimi i tij u krye me urdhër të Prokurorisë së Beogradit, nën dyshimet për shkaktim të vazhdueshëm të panikut e trazirave, si dhe për pengim të drejtësisë.
Sipas vendimit të organit të akuzës, Vuçiçeviç është lënë në ndalim 48-orësh dhe pritet të dalë sot para prokurorit për t'u marrë në pyetje. Dokumenti i ndalimit, i publikuar nga vetë redaksia e “Informer” zbardh se hetimet fokusohen te periudha 2023–2026, ku ai dyshohet se ka orkestruar fushata sistematike denigruese ndaj kundërshtarëve të ish-pushtetit, duke nxitur një klimë linçimi publik.
Lajmin e prangosjes e bëri publik nga foltorja e Kuvendit vetë Aleksandar Vuçiç, i cili tashmë mban postin e kreut të grupit parlamentar të opozitës. Teksa ai pretendoi se Vuçiçeviç po goditet për punën e tij si gazetar, njoftimi u shoqërua me duartrokitje në sallë nga deputetët e “Listës Studentore”.
Nga ana tjetër, stafi drejtues i “Informer” ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa djali i të ndaluarit njëherësh deputet i partisë së Vuçiçit e cilësoi aksionin si një hakmarrje dhe përndjekje politike. Që prej orëve të para të mëngjesit, punonjës të medias dhe simpatizantë janë mbledhur në protestë përpara Pallatit të Drejtësisë në Beograd, në pritje të masës së sigurisë.
Ky zhvillim vjen fiks një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, të cilat shënuan fundin e qeverisjes 14-vjeçare të Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit.
Televizioni “Informer”, i hapur në maj të vitit 2023, ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave për dezinformim dhe gjuhë urrejtjeje, duke u kthyer shpesh në objektiv të protestave studentore para godinës së tij.
Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 tetor, një koalicion prej 33 organizatash mediatike, akademikësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile kërkoi zyrtarisht heqjen e licencës së transmetimit për këtë kanal.