Një qytetar ka denoncuar për JOQ Albania ndërtimin e një pallati 18-katësh në zonën e Ali Demit, në Tiranë, përballë zonës së Mangalemit.
Sipas qytetarit, zona është tashmë e mbipopulluar me pallate, ndërsa infrastruktura rrugore është e pamjaftueshme për të përballuar fluksin e banorëve dhe automjeteve. Ai thekson se trafiku i përditshëm është kthyer në një problem serioz dhe se rrugët ekzistuese mezi përballojnë qarkullimin.
Pavarësisht kësaj situate, sipas denoncimit, është dhënë leja për ndërtimin e një tjetër pallati 18-katësh. Qytetari pretendon se leja është marrë brenda një periudhe prej dy javësh dhe se punimet kanë nisur menjëherë pas saj.
Banorët ngrenë shqetësimin se ndërtimi i ri do të sjellë edhe më shumë probleme, duke nisur nga bllokimi i hapësirave dhe i pamjes, deri te vështirësitë për parkimin dhe lëvizjen me automjete apo në këmbë.
Pyetja që ngre ky denoncim është: Si mund të miratohen leje të reja ndërtimi në zona ku infrastruktura ekzistuese nuk arrin të përballojë as ngarkesën aktuale?
