Nga 55 € në Korçë te 2,700 € në Tajlandë, sa kushtojnë pushimet për festat e Nëntorit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.11.2026, 12:51

Katër ditë pushim pa prekur lejen vjetore kanë nxitur interesin për udhëtime brenda dhe jashtë vendit gjatë festave të Nëntorit. Nga një fundjavë në Korçë për 55 euro, te një paketë katërditore në Paris për afro 600 euro apo një udhëtim tetëditor në Tajlandë për 2,700 euro, ofertat mbulojnë buxhete dhe preferenca të ndryshme.

Këtë vit, kalendari krijon kushte të favorshme për udhëtime. Festat e 28 dhe 29 Nëntorit përkojnë me fundjavën, ndërsa pushimet zyrtare të zhvendosura në 30 nëntor dhe 1 dhjetor krijojnë një periudhë katërditore pushimi, pa qenë nevoja të shfrytëzohen ditë nga leja vjetore.

Agjencitë turistike kanë shtuar ofertat drejt Stambollit, Italisë dhe kryeqyteteve europiane, ndërsa destinacionet e rajonit mbeten alternativa më ekonomike. Në të njëjtën periudhë zhvillohet edhe Black Friday, më 27 nëntor, si dhe hapen tregjet e Krishtlindjeve në disa qytete europiane, duke i dhënë udhëtimeve edhe një dimension të lidhur me blerjet e fundvitit.

Stambolli dhe Italia, në krye të ofertave

Sipas të dhënave nga Monitor, Stambolli dhe qytetet italiane zënë një pjesë të konsiderueshme të programeve turistike për këtë periudhë. Për metropolin turk janë planifikuar nisje të përditshme nga 26 deri më 29 nëntor, ndërsa Italia ofron një gamë të gjerë destinacionesh, nga Roma, Milano dhe Venecia deri në Bari dhe zona të tjera të Pulias.

Në listën e alternativave përfshihen gjithashtu Praga, Amsterdami, Barcelona dhe Parisi, ndërsa vendet e rajonit konkurrojnë kryesisht me çmime më të përballueshme.

Megjithatë, ofertat e publikuara nga agjencitë nuk përfaqësojnë të gjithë kërkesën për udhëtime. Një pjesë e shqiptarëve i organizojnë vetë pushimet, duke rezervuar biletat dhe akomodimin përmes platformave online. Kjo praktikë është veçanërisht e përhapur për destinacionet me fluturime të shpeshta direkte dhe kompani ajrore me kosto të ulët, si Italia, Franca dhe Europa Qendrore.

Jashtë statistikave të agjencive mbeten edhe udhëtimet e shqiptarëve që zgjedhin të kalojnë festat pranë familjarëve që jetojnë jashtë vendit.

Europa, deri në 2,400 euro për një familje

Italia mbetet ndër alternativat më ekonomike për udhëtime me avion. Një paketë dyditore në Venecia kushton nga 199 euro për person, në Romë nga 269 euro dhe në Milano nga 289 euro.

Përtej Italisë, çmimet rriten gradualisht. Një udhëtim katërditor në Pragë ofrohet për 459 euro për person, në Amsterdam dhe Bruksel për 529 euro, ndërsa në Barcelonë për 439 euro. Parisi është ndër alternativat më të kushtueshme, me një paketë katërditore prej 592 eurosh për person.

Për një çift, një udhëtim në kryeqytetet europiane mund të kushtojë nga 800 deri në 1,200 euro vetëm për paketën turistike. Në rastin e një familjeje me katër persona, shpenzimi mund të arrijë në 2,400 euro, pa përfshirë ushqimin, blerjet dhe aktivitetet shtesë.

Ballkani, alternativë për pushime nën 100 euro

Për ata që kërkojnë të shpenzojnë më pak, destinacionet e rajonit ofrojnë paketa kryesisht dy- dhe triditore, me çmime nga 55 deri në 169 euro për person.

Një udhëtim në Brezovicë dhe Prevallë kushton 55 euro, në Shkup dhe Prishtinë 59 euro, ndërsa në Ohër dhe Strugë 65 euro.

Ndryshe nga fundjavat e zakonshme, disa prej këtyre paketave përfshijnë edhe mbrëmje festive me muzikë dhe programe të dedikuara për festat kombëtare.

Diferenca e çmimeve bëhet më e dukshme te udhëtimet drejt Turqisë, në varësi të transportit. Një paketë katërditore me autobus, që kombinon Stambollin me Selanikun, kushton 89 euro për person. Ndërsa për një udhëtim treditor në Stamboll me avion, çmimi arrin në 329 euro.

Në ofertat e operatorëve janë përfshirë edhe Sarajeva, Beogradi dhe bregdeti dalmat i Kroacisë, me paketa që nuk i kalojnë 170 euro për person.

Pushimet në Shqipëri, nga 220 euro për një familje

Fundjava e zgjatur krijon mundësi edhe për bizneset turistike brenda vendit, veçanërisht në destinacionet malore dhe qytetet me traditë në turizmin kulturor e gastronomik.

Korça, Voskopoja, Valbona, Përmeti dhe Vermoshi janë ndër zonat që agjencitë kanë përfshirë në programet e tyre për festat e Nëntorit.

Një paketë dyditore në Korçë, Përmet dhe Banjat e Bënjës kushton 55 euro për person, ndërsa një udhëtim në Valbonë, me përfshirjen e një mbrëmjeje festive, ofrohet për 89 euro.

Për një familje me katër anëtarë, një udhëtim i organizuar brenda vendit mund të kushtojë nga 220 deri në 360 euro, duke llogaritur tarifën e plotë për secilin person.

Nga Dubai në Tajlandë, udhëtime përtej katër ditëve pushim

Përtej destinacioneve europiane dhe rajonale, operatorët kanë programuar edhe udhëtime më të gjata drejt vendeve të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Këto paketa kërkojnë marrjen e ditëve shtesë nga leja vjetore, por u drejtohen konsumatorëve me buxhete më të larta.

Në ofertat e këtij viti përfshihen Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Tajlanda.

Një paketë pesëditore në Dubai dhe Abu Dhabi kushton 699 euro për person, ndërsa një udhëtim gjashtëditor në Jordani ofrohet për 1,345 euro. Për një program shtatëditor në Egjipt, që përfshin Kajron dhe Asuanin, çmimi arrin në 1,795 euro.

Në krye të ofertave për nga kostoja është Tajlanda. Një paketë tetëditore kushton rreth 2,700 euro për person, ose afërsisht 5,400 euro për një çift.

Çmimet: Stambolli dhe Malta shtrenjtohen, Barcelona bëhet më e lirë

Krahasimi me vëzhgimin e “Monitor” për festat e Nëntorit të vitit 2025 tregon se çmimet nuk kanë ndjekur të njëjtin drejtim për të gjitha destinacionet.

Në Stamboll, një paketë treditore që vitin e kaluar kushtonte 289 euro për person, këtë vit ofrohet për 329 euro, me një rritje prej rreth 14%. Rritja është edhe më e lartë për Maltën, ku një udhëtim katërditor kushton 481 euro, nga 370 euro një vit më parë, ose rreth 30% më shumë.

Në kahun tjetër lëviz Barcelona. Një paketë katërditore drejt këtij qyteti ofrohet për 439 euro, krahasuar me 589 euro në vëzhgimin e vitit të kaluar, duke shënuar një ulje prej afërsisht 25%.

Diferencat tregojnë se, pavarësisht rritjes së çmimeve në disa destinacione, tregu i udhëtimeve për festat e Nëntorit vijon të ofrojë alternativa për nivele të ndryshme shpenzimi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit