Kushtet infrastrukturore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN) ngjallin shqetësim te studentët, të cilët denoncojnë amortizimin e ambienteve dhe problematikat me godinën, ku uji i shiut depërton deri në auditorë.
Përmes një denoncimi, një student ka ngritur shqetësimin për gjendjen e godinës, duke vënë në dukje amortizimin e mureve dhe depërtimin e ujit nga tavani gjatë reshjeve të shiut. Një situatë e tillë krijon kushte të papërshtatshme për studentët dhe vështirëson zhvillimin normal të procesit mësimor.
Sipas raportimit të studentit, problemet me infrastrukturën nuk kufizohen vetëm te futja s shiut brenda, por edhe te muret e mykhra dhe plasaritura të auditoreve duke ngritur pikëpyetje mbi mirëmbajtjen e godinës dhe sigurinë e kushteve në të cilat zhvillohet mësimi.
Gjendja e raportuar në FSHN rikthen në vëmendje shqetësimin për kushtet infrastrukturore në institucionet e arsimit të lartë dhe nevojën për investime që garantojnë ambiente dinjitoze për studentët dhe stafin akademik.