Janë rikthyer mbrapsht tre ngarkesa ushqimore në pikat kufitare gjatë muajit nëntor, dy prej të cilave janë ndaluar në Portin e Durrësit dhe një në Morinë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, dy ngarkesat e bllokuara në Durrës, me një peshë totale prej 54 ton mish pule të importuar nga Brazili, i përkisnin subjektit “ZICO” sh.a. Inspektorët kufitarë vendosën moslejimin e futjes së mallit në treg pasi u konstatuan mospërputhje mes dokumentacionit shoqërues dhe të dhënave të deklaruara në sistem.
Kompania “ZICO” sh.a, e njohur gjerësisht në treg për importin e bananeve të markës “Bana King” dhe që aktualisht administrohet nga Trifon Murataj, ka qenë në qendër të vëmendjes edhe më herët.
Në shkurt të vitit 2022, në një prej kontejnerëve të importuar nga kjo kompani u sekuestrua një sasi prej 119 kilogramësh kokainë. Pas këtij operacioni u arrestua administratori i atëhershëm, Marson Murataj, i cili fitoi lirinë në mars të vitit 2023 me vendim të Gjykatës së Tiranës.