Katër persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës më 24 nëntor, pasi u ndaluan në zonën pranë stadiumit “Air Albania”, teksa udhëtonin me një automjet tip “Audi” të blinduar.
Mes të arrestuarve është Ilir Shyti, djali i Roland Shytit, i njohur në Lushnjë me nofkën “Mustaqekuqi” dhe i përmendur në dosjen e bujshme “Hakmarrja për Drejtësi”.
Në automjet ndodheshin gjithashtu Erion Rama, punonjës i Gardës së Republikës, si dhe dy efektivët e Forcave të Armatosura, Leonard Murataj, pjesë e repartit të Zall-Herrit, dhe Ernest Selmani, i repartit të Farkës.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi dy armë zjarri, njëra prej të cilave me leje, ndërsa tjetra mbahej pa autorizim. Të katër personat kanë mohuar të kishin dijeni për praninë e pistoletës së paligjshme dhe municionit në automjet.
Para hetuesve, Ilir Shyti ka deklaruar se tre efektivët i kishte punësuar si truproje personale, duke mohuar çdo dijeni për armën pa leje. Edhe tre punonjësit e institucioneve shtetërore kanë mbajtur të njëjtin qëndrim.
Ndaj tyre është ngritur akuza për “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”. Katër të arrestuarit pritet të dalin përpara Gjykatës së Tiranës, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për masën e sigurisë.
Dosja “Hakmarrja për Drejtësi”, pse u bë i njohur emri i Roland Shytit?
Emri i Ilir Shytit rikthen në vëmendje një prej dosjeve më të bujshme të drejtësisë shqiptare, atë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, ku mes të pandehurve ishte edhe babai i tij, Roland Shyti.
Çështja lidhej me një grup personash të akuzuar për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale gjatë viteve 1992–2003, mes tyre vrasje, shpërthime me eksploziv, grabitje me armë dhe rrëmbime.
Në dosje përfshiheshin ngjarje si vrasja e ish-drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi, shpërthimi në supermarketin e kompanisë “Vefa”, ku humbën jetën katër persona, vrasja e Genci Sinës dhe rrëmbimi i të miturit Erjon Nushi për një shumë prej 200 mijë dollarësh.
Pas një procesi gjyqësor që zgjati për dekada, më 13 shkurt 2017, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shpalli të pafajshëm 10 të pandehurit, mes tyre edhe Roland Shytin.
Vendimi u la në fuqi në shkurt të vitit 2023 nga Gjykata e Lartë, e cila rrëzoi rekursin e Prokurorisë. Gjatë procesit, një prej çështjeve të diskutuara ishte vlefshmëria e provave, ku për një prej dokumenteve ekspertiza grafike kishte konstatuar falsifikim.
Kështu, dosja “Hakmarrja për Drejtësi” u mbyll përfundimisht me pafajësinë e 10 të pandehurve.