Vjedhje të vazhdueshme bagëtish, asnjë rast i zbardhur dhe një shef policie që, sipas denoncimit, në vend që t'u vijë në ndihmë qytetarëve, i fyen dhe i kërcënon. Kjo është situata shqetësuese që një i ri nga Konispoli ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania.
Përmes një videoje të dërguar në redaksinë tonë, qytetari tregon se gjatë viteve 2025 dhe 2026, në Konispol dhe fshatrat përreth janë regjistruar disa raste vjedhjesh të bagëtive, përfshirë dhi, dele, keca, lopë dhe viça.
Sipas tij, pavarësisht denoncimeve dhe telefonatave të përsëritura në polici, asnjë prej rasteve nuk është zbardhur, ndërsa hajdutët vijojnë aktivitetin e tyre pa u penguar.
Por shqetësimi i banorëve, sipas të riut, nuk përfundon te vjedhjet. Ai ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj Gjovalin Vorfit, të cilin e identifikon si shefin e policisë që mbulon zonën e Konispolit dhe disa fshatra përreth.
Denoncuesi pretendon se punonjësi i policisë, në vend që t'u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve, bezdiset nga telefonatat, përdor fjalor fyes dhe në disa raste i ka kërcënuar.
“E kemi telefonuar dhe ky nuk ka zbardhur asnjë lloj çështje dhe hajdutët po vazhdojnë akoma të vjedhin. Edhe bezdiset kur e telefonojmë, na shan, na kërcënon vetë punonjësi i policisë. Unë nuk e kuptoj se çfarë lloj punonjësi është ky”, shprehet i riu në denoncimin e tij.
Ai pretendon se disponon edhe prova për komunikimet fyese dhe kërkon që sjellja e punonjësit të policisë të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.
I riu pretendon se vetëm pas ndërhyrjes nga Tirana, punonjësi i policisë ka shkuar në fshatrat ku kanë ndodhur vjedhjet, por edhe këto ndërhyrje nuk kanë sjellë zbardhjen e rasteve.
“Nuk e kuptoj se çfarë policie kemi ne. Se në fund të fundit, nga taksat tona paguhen”, shprehet ndër të tjera denoncuesi, i cili kërkon marrjen e masave dhe verifikimin e të gjitha rasteve të vjedhjeve të raportuara gjatë dy viteve të fundit.
JOQ Albania mbetet e hapur për të publikuar edhe qëndrimin e Gjovalin Vorfit dhe strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit lidhur me akuzat e ngritura.