Një zonjë që jeton pas Pallatit me Shigjeta në Tiranë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vjedhjen e përsëritur të vazove me lule nga ambienti pranë banesës së saj.
Ajo tregon se nuk është hera e parë që përballet me këtë situatë. Sipas saj, vazot janë marrë disa herë, njëra pas tjetrës, ndërsa vetëm ditën e sotme, të dielën, më 22 nëntor, i kanë marrë edhe katër të tjera. Zonja thotë se kishte zbritur poshtë pallatit bashkë me djalin dhe, kur u kthye, vuri re se lulet nuk ishin më aty.
Për dikë tjetër mund të duken thjesht disa vazo me lule, por për këtë zonjë ato kanë një domethënie shumë më të madhe. Ajo tregon se ka investuar për t’i blerë, për t’u kujdesur për to dhe për t’i mbajtur të bukura. Lulet i konsideron një mënyrë për të gjetur qetësi, për të larguar stresin dhe për t’i rikthyer buzëqeshjen në përditshmëri.
E prekur nga veprimet e përsëritura, ajo thotë se nuk arrin të kuptojë se çfarë i shtyn njerëzit të marrin diçka që dikush tjetër e ka blerë dhe për të cilën kujdeset me aq përkushtim. Ajo thekson se nuk shqetëson askënd dhe kërkon vetëm të gëzojë lulet e saj.
Përmes JOQ Albania, zonja i bën thirrje personit që i ka marrë vazot, kushdo qoftë, të reflektojë dhe t’i kthejë në vendin ku ishin. Ndoshta për dikë vjedhja e disa vazove nuk është një problem i madh, por për të kjo ka një peshë emocionale që nuk mund të matet me vlerën e tyre materiale. Ajo shpreson që ky shqetësim të marrë fund dhe të gjejë sërish qetësinë pranë luleve të saj.