Lara Colturi shkruan historinë, Shqipëria fiton për herë të parë në Kupën e Botës në Ski Alpine

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.11.2026, 15:07

Lara Colturi ka arritur një nga sukseset më të mëdha në historinë e sportit shqiptar, duke triumfuar për herë të parë në një garë të Kupës së Botës në Ski Alpine. Skiatorja që përfaqëson ngjyrat kuqezi u shpall fituese në disiplinën e slalomit në Gurgl të Austrisë, me kohën e përgjithshme 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat.

Pas dy vendeve të dyta të siguruara më herët në Soelden dhe Levi, Colturi arriti këtë herë të ngjitej në majën e podiumit, duke i dhuruar Shqipërisë një sukses historik në arenën ndërkombëtare të skive.

Skiatorja 20-vjeçare konfirmoi formën e saj të shkëlqyer që në zbritjen e parë, ku, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe dukshmërisë së dobët në pistë, regjistroi kohën 51.94 sekonda. Ky rezultat e pozicionoi në vendin e dytë, menjëherë pas suedezes Anna Swenn Larsson.

Në zbritjen e dytë, Colturi tregoi edhe një herë qetësi dhe siguri, duke përshkuar pistën për 53.53 sekonda. Koha e kombinuar prej 1:45.47 rezultoi e paarritshme për rivalet, duke i siguruar skiatores shqiptare vendin e parë.

Pas saj, në podium u rendit suedezja Sara Hector, ndërsa vendin e tretë e mori bashkëkombësja e saj, Anna Swenn Larsson. Gjatë garës, Colturi la pas edhe emra të njohur të këtij sporti, si Paula Moltzan, Emma Aicher dhe Camille Rast.

Ky rezultat përfaqëson fitoren e parë të Lara Colturit në karrierën e saj në Kupën e Botës, por edhe një moment historik për Shqipërinë, që feston për herë të parë një triumf në këtë nivel të skive alpine. Një sukses që e vendos emrin e sportistes kuqezi në historinë e sportit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit