Një ngjarje e rëndë ka tronditur Istogun mëngjesin e kësaj të shtune, ku 63-vjeçari Zymer Blakaj është gjetur pa shenja jete në vendin e tij të punës, në një fermë për kultivimin e peshqve.
Sipas informacioneve të raportuara, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00, kur 63-vjeçari është gjetur pa vetëdije. Në vendngjarje kanë mbërritur njësitet policore dhe ekipi i emergjencës, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar procedura për “Hetim të vdekjes”. Trupi i pajetë i Zymer Blakajt është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në vdekjen e 63-vjeçarit, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.