Komuniteti i video-lojërave dhe fansat shqiptarë të Grand Theft Auto po ziejnë nga thashethemet dhe detajet e fundit që qarkullojnë rreth kapitullit më të ri të sagës, GTA VI. Mafia shqiptare do të jetë e pranishme në universin e lojës përmes një figure kyçe të botës së krimit.
Bëhet fjalë për një personazh tejet enigmatik, i cili përshkruhet si një manjat i fuqishëm anijesh me lidhje të gjera dhe ndikim të madh në nivelet më të larta. Edhe pse gëzon një pasuri marramendëse, ai thuhet se mban një profil krejtësisht të ulët dhe është jashtëzakonisht i fshehtë.
Sipas të njëjtave detaje, ky bos shqiptar i krimit kontrollon pjesën dërrmuese të rrugëve të trafikut të drogës në Oqeanin Atlantik, duke u kthyer në një prej figurave më të rëndësishme dhe të rrezikshme të botës së errët në Vice City.
Kjo nuk është hera e parë që mafia shqiptare bëhet pjesë e serisë së famshme të Rockstar Games, fansat e vjetër e mbajnë mend mirë paraqitjen ikonike në GTA IV, por rikthimi në një rol kaq strategjik në GTA VI ka ngjallur menjëherë kureshtje të madhe te lojtarët.