Prej tri ditësh, 87-vjeçari Daut Krasniqi po qëndron pranë shtëpisë në lagjen Velania të Prishtinës, me shpresën se do të arrijë ta shohë nga afër vëllanë e tij, Jakup Krasniqin, i cili po qëndron në Kosovë gjatë një vizite të lejuar nga Gjykata Speciale.
Për Dautin, i cili gjatë gjithë jetës ka qenë i pandarë nga i vëllai, kjo vizitë është shndërruar në një pritje të mbushur me mall. Edhe pse Jakupi ndodhet në Kosovë, 87-vjeçari ende nuk ka arritur ta takojë.
Në rrëfimin e tij, Daut Krasniqi ka kujtuar periudhat e vështira kur Jakup Krasniqi ishte burgosur nga autoritetet serbe, bisedat që kishin zhvilluar në ato kohë dhe qëndrimin e tij të palëkundur për atdheun.
Ai ka thënë se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte gjithmonë stoik kur bëhej fjalë për vendin dhe se nuk e kishte menduar kurrë largimin nga Kosova.
Megjithatë, Daut Krasniqi thotë se periudhën e paraburgimit të vëllait në Hagë e ka përjetuar edhe më rëndë sesa kohën kur ai mbahej në burgjet serbe.
Një nga momentet më të vështira për të ishte edhe vizita e fundit e Jakup Krasniqit në Kosovë, kur, pavarësisht dëshirës së madhe për ta takuar, u detyrua të largohej.
Ai ka treguar se kishte shkuar për ta parë të vëllanë, por pasi ishte njoftuar se prania e tij mund ta rrezikonte vazhdimin e vizitës, vendosi të kthehej pa e takuar.
“Për këto forca dhe të mos mundesh me u takuar me vëllezër, as me askënd, këtë nuk e kemi pritur. Unë shkova, i thanë vajzës që po vjen baca atje. Unë shkova dhe tha: ‘Po thonë që veç po prishet vizita’. I thashë: ‘Jo, unë për ta prish vizitën nuk vij’, edhe u ktheva”, ka rrëfyer ai.
Daut Krasniqi ka shprehur pakënaqësinë e tij edhe për mënyrën se si është organizuar vizita, duke ngritur pikëpyetje për praninë e forcave të huaja dhe mungesën e Policisë së Kosovës gjatë kontrollit në shtëpinë e vëllait të tij.
“A ka në botë dikund që të vijnë të huajt, të hyjnë në shtëpinë tënde, e policia jote të rrijë jashtë e të mos hyjë me ta?”, ka thënë ai.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, 87-vjeçari ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke shprehur bindjen se ajo po i dënon çlirimtarët.
Ai ka theksuar se UÇK-ja nuk ishte ushtri e rregullt, por përbëhej nga vullnetarë.
“Këta nuk kanë qenë ushtri e rregullt, këta kanë qenë vullnetarë. Kush ka mundur të hyjë, ka hyrë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, sot nuk po e mbrojnë zërin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se disa prej tyre i kanë tradhtuar shokët.
“Më patriotë tash kemi në Qeveri sesa ata që e kanë hequr shkau prej këtu. Tash, cilët janë më patriotë, ai që e ka hequr apo ti që po e mbron? Mua më dhimbën disa, ku kanë qenë, ku kanë ardhur e ku kanë shkuar. Le ta dinë mirë ata se i kanë tradhtuar shokët, e sot nuk u ndihet zëri hiç, ata e dinë vetë”, ka deklaruar ai.
Në fund, 87-vjeçari ka përcjellë një mesazh për katër ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke u kërkuar të qëndrojnë të fortë dhe duke rikujtuar se kishin pasur një popull të tërë pas vetes.
“Veç le ta bahen të fortë, e le ta dinë se çfarë populli kishit pas, e s’kishit pas për kon me luftu”, ka thënë Daut Krasniqi.
Përtej kritikave ndaj procesit gjyqësor, rrëfimi i tij përcjell mallin e një vëllai 87-vjeçar, i cili, edhe pas tri ditësh pritjeje, shpreson ta shohë nga afër njeriun me të cilin ka ndarë një jetë të tërë.