Një rast shqetësues është denoncuar në redaksinë e JOQ Kosova nga një besimtare myslimane, e cila pretendon se është larguar së bashku me shoqen e saj nga Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, vetëm pse ishin gra.
Sipas denoncueses, ngjarja ka ndodhur sot, teksa ajo dhe shoqja e saj ndodheshin në katin e dytë të xhamisë, në hapësirën që zakonisht përdoret nga gratë. Pasi kishin përfunduar namazin dhe po bënin lutjet, një burrë është ngjitur papritur në këtë hapësirë dhe u ka kërkuar të largohen, duke u thënë se xhamia ishte vetëm për burra.
“Pas namazit, duke bërë lutje, me shpejtësi erdhi një burrë lart, aty ku është hapësira e grave, dhe na tha se kjo xhami është për burra. Ai qëndroi aty derisa u sigurua që ne po zbrisnim dhe po dilnim”, rrëfen qytetarja.
E revoltuar nga kjo sjellje, besimtarja e konsideron veprimin diskriminues dhe në kundërshtim me frymën e besimit islam.
“Ky nuk është besim islam, ky është patriarkalizëm! Si guxojnë të na thonë neve, si besimtare, se nuk kemi vend në shtëpinë e Zotit, ndërkohë që në shumë xhami lejohen të hyjnë edhe jobesimtarët?!”, shprehet ajo.
Denoncimi ngre pikëpyetje serioze mbi trajtimin e grave besimtare dhe të drejtën e tyre për të praktikuar besimin në objektet fetare.
Ende nuk dihet se kush ishte personi që u kërkoi largimin dhe nëse ai përfaqësonte drejtuesit e xhamisë. Pretendimet e qytetares nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
A është e pranueshme që dy gra, sipas denoncimit të tyre, të detyrohen të largohen nga një hapësirë lutjeje vetëm për shkak të gjinisë? Kush duhet të japë përgjegjësi për këtë rast?