Islami pritet të bëhet feja me numrin më të madh të besimtarëve në botë deri në vitin 2035, duke tejkaluar për herë të parë Krishterimin, i cili prej shekujsh mban vendin e parë.
Sipas një studimi të ri të qendrës kërkimore amerikane Pew Research Center, deri në vitin 2035 numri i myslimanëve në mbarë botën parashikohet të arrijë në 2.57 miliardë, ndërsa ai i të krishterëve në rreth 2.52 miliardë.
Një ndër arsyet kryesore të këtij ndryshimi historik është lindshmëria më e lartë te popullsia myslimane, si dhe mosha mesatare më e re. Ekspertët theksojnë se shtimi natyror i popullsisë ka ndikim shumë më të madh sesa konvertimet nga njëra fe në tjetrën.
Në vitin 2020, në botë numëroheshin rreth 2.27 miliardë të krishterë dhe 2.02 miliardë myslimanë. Megjithatë, ritmi i rritjes demografike pritet ta ndryshojë këtë renditje brenda nëntë viteve të ardhshme.
Studiuesit sqarojnë se këto janë parashikime demografike të bazuara në tendencat aktuale dhe jo rezultate të sigurta, por nëse këto tendenca vazhdojnë, Islami mund të bëhet feja më e përhapur në planet.