UNICEF ka ngritur alarmin për mënyrën e ushqyerjes së fëmijëve në Kosovë, duke zbuluar të dhëna shqetësuese për shëndetin e tyre. Mungesa e mensave në shkolla dhe konsumi i lartë i ushqimeve jo të shëndetshme po kthehen në një problem serioz.
Sipas të dhënave të MICS 2025, 57% e fëmijëve të moshës 6 deri në 23 muaj konsumojnë ushqime jo të shëndetshme, ndërsa 42% konsumojnë pije të ëmbla. Situata është edhe më alarmante te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku 80% konsumojnë ushqime jo të shëndetshme dhe 72% pije me sheqer.
Raporti zbulon se shumica e shkollave në Kosovë nuk ofrojnë shujta për nxënësit, për shkak të mungesës së buxhetit, infrastrukturës dhe stafit të trajnuar. Ndërkohë, në shkollat ku shiten ushqime, dominojnë produktet jo të shëndetshme, ndërsa nxënësit shpesh dalin jashtë shkollës për të blerë ushqime dhe pije.
UNICEF kërkon masa urgjente, përfshirë krijimin e mensave shkollore me financim publik, kontrollin e ushqimeve që shiten brenda dhe përreth shkollave, si dhe përmirësimin e qasjes në ujë të pijshëm.
Në një kohë kur ushqyerja e shëndetshme duhet të jetë prioritet, mijëra nxënës në Kosovë vazhdojnë të mos kenë mundësi të marrin një shujtë të siguruar nga shkolla.