Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Gjermani. Bëhet fjalë për Jurgen Rexhepin, i cili prej rreth dy muajsh e gjysmë qëndronte në një kamp refugjatësh në Berlin, ku kishte aplikuar për azil.
I riu është gjetur pa shenja jete në ambientet e kampit. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Familjarët e tij kanë treguar se Jurgeni kishte shprehur dëshirën e fortë për t'u kthyer në Shqipëri. Sipas hallës së tij, i riu kishte kaluar një periudhë të vështirë, ndërsa përpjekjet e tij për të përfituar azil në Gjermani nuk kishin marrë përgjigje pozitive.
Ajo ka bërë me dije se Jurgenit i ishin caktuar katër data për procedurat e azilit, por deri në atë moment kishte marrë tri përgjigje refuzuese. Gjithashtu, sipas saj, atij i ishin vjedhur dokumentet e identifikimit.
Halla e 28-vjeçarit ka treguar edhe për komunikimin e fundit që familjarët kishin pasur me të, duke theksuar se ai nuk ishte dukur në gjendje të mirë emocionale.
“Motra ime është e fundit që ka folur me të. Nuk i ishte dukur mirë. E ka pyetur si je dhe vetëm kaq, më pas ai ia kishte mbyllur telefonin. Më vonë, ai ka ndërruar jetë.
Kishte dy muaj e gjysmë në kampin në Berlin dhe donte të vinte me çdo kusht në Shqipëri. Data e fundit ishte më 23. I kishin dhënë katër data dhe kishte marrë tri refuzime. Kartat e identitetit dhe mjetet e identifikimit ia kishin vjedhur”, ka rrëfyer halla e të riut.