Mijëra qytetarë të Kosovës që ëndërrojnë një të ardhme më të mirë në Gjermani mund të përballen me pengesa të reja. Qeveria gjermane ka propozuar përgjysmimin e kuotës vjetore të punësimit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, nga 50 mijë në vetëm 25 mijë leje në vit.
Propozimi, i miratuar nga qeveria më 4 nëntor, prek Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën. Nëse merr miratimin përfundimtar, kufizimi do të nisë të zbatohet nga 1 janari 2027.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas shqyrtimit nga Bundesrati më 18 dhjetor. Ndërkohë, punëdhënësit gjermanë, shoqatat ekonomike dhe disa lande kanë kundërshtuar këtë masë, duke paralajmëruar se Gjermania mund të përballet me mungesë edhe më të madhe të fuqisë punëtore.
Sipas të dhënave zyrtare, në shtator të vitit 2026, rreth 546 mijë qytetarë nga Ballkani Perëndimor ishin të punësuar në Gjermani dhe paguanin kontribute të sigurimeve shoqërore.
Përgjysmimi i kuotës do të ishte një goditje për shumë kosovarë që synojnë punësimin në Gjermani përmes rregullores së veçantë për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, kjo masë nuk përbën ndalim të plotë të punësimit, pasi rrugët e tjera ligjore do të mbeten të hapura.