GTA 6 del sot, pas 13 vitesh pritjeje: sa kopje mund të shesë loja më e pritur e dekadës?

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 19.11.2026, 15:48

Pas më shumë se një dekade pritjeje, seria e famshme e Rockstar Games rikthehet me një kapitull të ri. GTA 6 mbërrin më 19 nëntor 2026, duke rikthyer vëmendjen te një prej ekskluziviteteve më të suksesshme në historinë e videolojërave. Por për të kuptuar pritshmëritë që shoqërojnë këtë lançim, mjafton të shihen shifrat e lojërave paraardhëse.

Në vitin 2002, GTA Vice City i çoi lojtarët në një qytet të frymëzuar nga Miami i Floridës, me plazhe, ndërtesa shumëngjyrëshe dhe atmosferën e viteve ’80. Loja arriti rreth 17.5 milionë kopje të shitura. Dy vite më vonë, GTA San Andreas e zgjeroi ndjeshëm botën e lojës, duke sjellë tre qytete të frymëzuara nga Los Angeles, San Francisco dhe Las Vegas. Shitjet arritën rreth 27.5 milionë kopje.

Në vitin 2008, GTA IV riktheu lojtarët në Liberty City, versionin imagjinar të Nju Jorkut, dhe shiti mbi 25 milionë kopje. Por rekordin e serisë e vendosi GTA V, i publikuar në vitin 2013. I vendosur në Los Santos, një qytet i frymëzuar nga Los Angeles dhe Kalifornia Jugore, titulli u shndërrua në një fenomen global.

Sipas kompanisë mëmë Take-Two Interactive, GTA V ka kaluar 230 milionë kopje të shitura në mbarë botën, duke u renditur mes videolojërave më të shitura të të gjitha kohërave. Një shifër që tregon përmasat e jashtëzakonshme të kësaj serie dhe pritshmëritë e mëdha që ka krijuar për pasardhësin e saj.

Tashmë radha është e GTA 6. Pas 13 vitesh nga publikimi i lojës së fundit kryesore, pyetja nuk është vetëm nëse do të jetë një tjetër sukses, por sa larg mund të shkojnë shitjet e saj. A do të arrijë të thyejë rekordin e GTA V, apo do të vendosë një standard krejt të ri për industrinë e videolojërave?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit