Nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli ekstradohet në SHBA, dyshohet për krime kibernetike dhe keqpërdorim të të dhënave bankare

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 19.11.2026, 14:06

Hektor Avdyli, nipi i ish-deputetit të Kosovës, Haxhi Avdyli, është ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kërkohet nga autoritetet amerikane nën dyshimet për përfshirje në krime kibernetike.

Ekstradimi është realizuar më 19 nëntor 2026, pas përfundimit të procedurave ligjore. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është dorëzuar tek autoritetet amerikane të U.S. Marshals në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar.

Hektor Avdyli ishte arrestuar më 15 korrik në Prizren, gjatë një operacioni të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike. Gjatë bastisjes së banesës së tij dhe objekteve përcjellëse, policia kishte sekuestruar kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbenin si prova.

Sipas dyshimeve të autoriteteve, Avdyli kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe informacione personale, kryesisht të shtetasve amerikanë. Këto të dhëna dyshohet se i kishte shpërndarë në platforma të ndryshme online për qëllime keqpërdorimi.

Pas disa muajsh nga arrestimi, nipi i ish-deputetit tashmë do të përballet me drejtësinë amerikane, ku pritet të zhvillohen procedurat lidhur me akuzat e dyshuara për veprimtari kriminale në fushën e krimeve kibernetike.

Hektor Avdyli konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit