Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij të mëhershme lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti ka akuzuar Kurtin se me deklaratën se gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka dalë në mbështetje të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski.
“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, është shprehur Ahmeti, duke treguar se deklarata e Kurtit e ka prekur thellë.
Kreu i BDI-së ka kujtuar edhe sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke përmendur Afrim Kalanicën dhe nënën e tij, të cilën e kishte parë duke vajtuar pranë varrit të të birit në Sllupçan.
“Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s'ka qenë zyrtare? Turp!”, ka deklaruar ai.
Ahmeti ka theksuar se i ka kërkuar publikisht Kurtit disa herë të sqarojë nëse ka qenë i keqinformuar, por sipas tij, nuk ka marrë përgjigje.
Ai ka shtuar se deklarata e kryeministrit të Kosovës është përdorur për javë të tëra në debatet politike dhe televizive në Maqedoninë e Veriut.
Në fund, Ahmeti ka deklaruar se qëndrimi i Kurtit nuk e ka lënduar vetëm atë, por edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët, sipas tij, kanë sakrifikuar për të drejtat e shqiptarëve dhe përdorimin e gjuhës shqipe.