“Na ke krahasuar me regjimin serb!” Studentët refuzojnë dialogun me rektorin e UP-së, kërkojnë falje publike

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 19.11.2026, 12:39

Tensione dhe pakënaqësi para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku studentët kanë dalë në protestë kundër rektorit Arben Hajrullahu, të cilin e akuzojnë për kërcënime përmes një emaili.

Protesta e organizuar nga Parlamenti Studentor vjen pas pakënaqësive lidhur me mënyrën e komunikimit të rektorit me studentët. Këta të fundit pretendojnë se përmes emailit janë kërcënuar dhe krahasuar me regjimin serb, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra.

Gjatë protestës së sotme, rektori Hajrullahu ka dalë para studentëve dhe i ka ftuar në një takim për të diskutuar shqetësimet dhe për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.

Megjithatë, studentët kanë refuzuar ftesën e tij, duke kërkuar që fillimisht ai t'u kërkojë falje publike për deklaratat që i konsiderojnë fyese dhe kërcënuese.

“Kërkona njëherë falje, na ke krahasu me regjim serb!”, kanë reaguar studentët përballë rektorit.

Nga ana tjetër, Hajrullahu ka deklaruar se dyert e Rektoratit janë gjithmonë të hapura për studentët dhe se është i gatshëm për dialog.

Pavarësisht ftesës, studentët kanë këmbëngulur në kërkesën e tyre për kërkimfalje, ndërsa përplasja mes tyre dhe drejtuesit të universitetit mbetet e pazgjidhur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit