Një gjest solidariteti mes bashkëkombësish në një aeroport të huaj është kthyer në një përvojë të pakëndshme për një qytetar shqiptar, i cili thotë se është mashtruar nga një çift bashkëatdhetarësh.
Në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ai tregon se të premten, më 13 nëntor, teksa ndodhej në aeroportin e Bergamos për t'u kthyer në Shqipëri, ka takuar një çift shqiptarësh që u kërkonte ndihmë.
Sipas tij, çifti u kishte treguar se kishte nevojë për 100 euro për të kryer check-in-in dhe u ishte lutur t'ua jepnin, me premtimin se paratë do t'ua kthente sapo të mbërrinin në Tiranë.
Duke parë bashkëkombës në vështirësi, i riu thotë se vendosi t'i ndihmonte, duke besuar te fjala e tyre. Por, sipas denoncimit, sapo u larguan, çifti i ka bllokuar në WhatsApp, duke ndërprerë çdo mundësi komunikimi.
Ai i ka dërguar redaksisë edhe fotografinë e çiftit, si dhe pamjen e bisedës në WhatsApp ku shfaqet bllokimi.
Është vërtet e turpshme që dikush të shfrytëzojë besimin dhe solidaritetin e bashkëkombësve në këtë mënyrë. Qytetari u zgjati dorën dy shqiptarëve që pretendonin se kishin nevojë për ndihmë, por sipas denoncimit, në këmbim mori një bllokim në WhatsApp dhe asnjë gjurmë të parave të dhëna.
Denoncuesi u bën thirrje shqiptarëve që udhëtojnë nga aeroporti i Bergamos të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e rasteve të ngjashme.
Mesazhi i plotë i qytetarit për JOQ Albania:
“Përshëndetje, doja të bëja një denoncim! Ditën e premte, më datë 13 nëntor, ishim në aeroportin e Bergamos duke u kthyer për në Shqipëri. Hasëm një çift shqiptarësh që kishin nevojë për 100 euro për të bërë check-in-in. Po na luteshin dhe, normalisht, si bashkëatdhetarë, i ndihmuam me idenë se do të na i kthenin në Tiranë. Në momentin që u larguam, na vendosën bllok. Është qesharake si situatë! U bëj thirrje të gjithë personave që nisen nga Bergamo, sepse ka edhe mashtrues të tillë!”

