Detaje rrëqethëse kanë dalë në dritë nga vrasja e rëndë që tronditi Suharekën këtë të mërkurë. Sylë Dakaj u qëllua për vdekje me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare, në prani të bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ngjarja ndodhi rreth orës 12:03, pas një mosmarrëveshjeje të çastit mes viktimës dhe të dyshuarit Rrahman Hoti. Ky i fundit dyshohet se nxori armën dhe qëlloi drejt Dakajt, duke i shkaktuar plagë fatale, ndërsa bashkëshortja dhe vajza e viktimës ishin të pranishme në vendngjarje.
Pas krimit, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua pak më vonë nga Policia e Kosovës. Arma e dyshuar e krimit është sekuestruar, ndërsa ndaj Hotit është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Prokuroria ka njoftuar se ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Brenda afatit ligjor pritet të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
Vrasja e Sylë Dakajt në prani të familjarëve të tij ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.