Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ndërprerjes së energjisë elektrike, duke kritikuar Qeverinë për mungesë të investimeve dhe planifikimit në sektorin e energjisë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka treguar se gjatë mbajtjes së një testi me studentët e nivelit master në Fakultetin Ekonomik, rreth orës 17:10, është ndërprerë energjia elektrike.
Ajo ka bërë të ditur se paraprakisht ua kishte marrë telefonat studentëve, por pas disa minutash pritjeje, ata kanë propozuar një zgjidhje kreative: telefonat të shpërndaheshin në mënyrë të rastësishme, në mënyrë që secili të përdorte telefonin e dikujt tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar atë.
“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ‘Kosovën e progresit të paparë’”, ka shkruar Bajrami.
Përtej ironisë, deputetja e LDK-së ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të paraqesë në Kuvend një plan konkret për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.
Sipas saj, vetëm rritja e prodhimit vendor mund ta shpëtojë vendin nga kriza energjetike.
Bajrami ka paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë, pas gati gjashtë vjetësh të humbura, qytetarët dhe vetë Qeveria së shpejti do ta kenë të vështirë t'i përballojnë faturat e energjisë elektrike, ndërsa reduktimet mund të bëhen pjesë e përditshmërisë.