E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por pamjet e publikuara nga protesta para Kryeministrisë tregojnë një situatë që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po trajtohen qytetarët që ushtrojnë këtë të drejtë.
Protestuesit po zhvillonin tubimin e tyre në mënyrë paqësore, kur efektivët e policisë i kanë shtyrë drejt trotuarit, duke mos i lejuar të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë.
Në pamjet e publikuara shihet edhe flamurtari i protestës, i cili shtyhet nga efektivët drejt trotuarit, ndërsa qytetarët përpiqen të vijojnë qëndrimin e tyre.
Protesta paqësore është një e drejtë e qytetarëve dhe jo një favor që u jepet nga policia. Detyra e uniformave blu është të garantojnë rendin dhe sigurinë, por edhe të respektojnë të drejtën e qytetarëve për t'u shprehur dhe për të protestuar.
Pamjet ngrenë një pyetje të rëndësishme: përse qytetarët që po protestojnë paqësisht nuk lejohen të qëndrojnë përpara institucionit ndaj të cilit kanë drejtuar protestën e tyre?