“Shtëpia po më shembet mbi kokë”, i riu jetim dhe i paaftë për punë kërkon vetëm riparimin e banesës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.11.2026, 19:09

Një apel për ndihmë vjen nga Andrea Ranxha, 34 vjeç, banues në lagjen Shënkoll të Elbasanit, i cili jeton i vetëm në kushte tejet të vështira, në një banesë që ndodhet në gjendje të mjerueshme dhe që, siç tregon ai, rrezikon të shembet nga dita në ditë.

Andrea është jetim dhe nuk ka askënd pranë që të kujdeset për të. Ai disponon dokumentacion që vërteton paaftësinë për punë dhe thotë se vuan edhe nga probleme me shtyllën kurrizore, çka ia vështirëson edhe më shumë përballimin e përditshmërisë.

Në pamjet e dërguara në redaksinë tonë, gjendja e banesës është tronditëse. Ambientet ku jeton janë në kushte shumë të këqija, ndërsa vetë Andrea tregon se ka kërkuar ndihmë edhe pranë institucioneve shtetërore dhe bashkisë, por deri më tani nuk ka arritur të marrë zgjidhje për problemin e tij.

Mesazhet e tij drejtuar redaksisë janë një apel i vazhdueshëm për ndihmë. Ai thotë se nuk kërkon asgjë tjetër përveçse t'i riparohet banesa, në mënyrë që të ketë një çati të sigurt mbi kokë dhe të mund të jetojë në kushte normale.

Andrea nuk kërkon luks apo një shtëpi të re. Kërkon vetëm që banesa ku jeton të bëhet e banueshme dhe të mos ketë frikën se një ditë do t'i shembet mbi kokë.

Kushdo që ka mundësi dhe dëshiron ta ndihmojë Andrean, mund ta kontaktojë drejtpërdrejt në WhatsApp, në numrin +355 69 271 8737.

Ndoshta, për dikë që ka mundësi, riparimi i kësaj banese është një ndihmë e realizueshme, ndërsa për Andrean do të thotë të ketë më në fund një vend të sigurt ku të jetojë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit