Ndërkohë që Shqipëria përballet çdo ditë me kriza ekonomike dhe standarde modeste jetese, shifrat marramendëse që qarkullojnë në zyrat e organizatave jofitimprurëse që menaxhojnë pasuri publike dhe kombëtare kanë ngritur një valë të fortë indinjate dhe debatesh.
Një investigim i publikuar, duke u bazuar në dokumentet zyrtare tatimore amerikane të formularit IRS 990 për vitin 2024, ka zbuluar pagat skandaloze dhe kompensimet stratosferike të drejtuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ku kryesuesi i këtij institucioni, Martin Mata, arkëton shuma që rivalizojnë korporatat më të mëdha globale.
Sipas të dhënave zyrtare, Martin Mata dhe bashkëdrejtuesi i tij Aleksandër Sarapuli rezultojnë të kenë përfituar secili një kompensim bazë prej 278,980 dollarësh në vit. Megjithatë, fatura financiare për Martin Matën ngjitet edhe më lart për shkak të 61,817 dollarëve shtesë në formë kompensimesh ekstra, duke e çuar totalin vjetor në shifrën marramendëse prej 340,797 dollarësh, ose rreth 28,400 dollarë në muaj.
Këto shifra fshijnë çdo kufi të arsyeshëm për një organizatë që operon nën petkun e zhvillimit jofitimprurës dhe që ndërhyn drejtpërdrejt në pasuritë më të vyera të trashëgimisë dhe turizmit në Shqipëri.
Për të kuptuar absurditetin e këtyre përmasave financiare, mjafton një krahasim i thjeshtë ndërkombëtar, ku kompensimi bazë i secilit prej drejtuesve të AADF-së tejkalon me mbi 81,780 dollarë nivelin maksimal të tabelës bazë të pagave të Shërbimit të Jashtëm amerikan për vitin 2026, i cili kap vlerën e 197,200 dollarëve. Ky disnivel i frikshëm mes pagave të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe drejtuesve të një fondacioni në Shqipëri shtron pikëpyetje të forta rreth mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe mënyrës se si shpërndahen fondet e vëna në dispozicion për zhvillim.
Debati bëhet edhe më i mprehtë po të merret parasysh fusha e gjerë e ndikimit që AADF ka pasur ndër vite në Shqipëri, shpesh në qendër të kritikave të forta nga opinioni publik dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore.
Fondacioni ka qenë protagonist në projekte tejet të debatuara, siç është dhënia me koncesion apo administrimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, projekti i rigjenerimit urban TID në Durrës, si dhe ndërhyrjet e diskutueshme në zonën e mbrojtur të Drilon-Tushemishtit. Kur pasuri kombëtare të këtij kalibri menaxhohen nga duart e subjekteve që paguajnë shifra kaq galopante për drejtuesit e tyre, mungesa e një transparence kristalore dhe e llogaridhënies publike kthehet në një kambanë serioze alarmi.
Ndonëse pagesa e lartë në vetvete nuk përben domosdoshmërisht një shkelje të drejtpërdrejtë ligjore, ajo ekspozon një krizë të thellë etike dhe morale për një fondacion që pretendon se punon në shërbim të interesit publik.
Qytetarët shqiptarë dhe zërat kritikë vazhdojnë të kërkojnë llogari se kush i miraton këto shpërblime faraonike, mbi çfarë kriteresh performance mbështeten ato dhe nëse ka pasur ndonjëherë një vlerësim të pavarur për të justifikuar këto miliona që dalin nga arkat e dedikuara për zhvillim, ndërkohë që transparenca financiare mbetet thjesht një fasadë për të mbuluar privilegjet e pak të prekshmve.