Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur pretencën për ish-kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij, të cilët përballen me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Çështja penale, e cila kishte nisur fillimisht si hetim në Prokurorinë e Lushnjës, lidhet me përdorimin e paligjshëm të pronave publike për interesa private.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 70 hektarësh tokë bujqësore, e cila dyshohet se iu kalua në mënyrë të parregullt dy operatorëve ekonomikë privatë. Toka ishte vënë në dispozicion për një afat 10-vjeçar me qëllim realizimin e investimeve në fushën e energjisë diellore (panele fotovoltaike), duke shkelur procedurat ligjore përkatëse.
Ekzistojnë dy kontrata qiraje të lidhura më 28 qershor 2021. Përmes këtyre marrëveshjeve, Bashkia Divjakë i vuri në dispozicion dy operatorëve privatë një sipërfaqe prej afro 70 hektarësh tokë bujqësore (e klasifikuar fillimisht si tokë "pa frut") për një afat 10-vjeçar, me qëllim ngritjen e impianteve fotovoltaike për prodhimin e energjisë diellore.
Kompanisë “AG Hpower & Construction” sh.p.k. sipërfaqja e dhënë me qira: 337,763 m2 (ose rreth 33.8 hektarë). Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kompania zotërohet plotësisht (100% të kuotave) nga biznesmeni Arben Goga.
Kompanisë “InTex” sh.p.k. sipërfaqja e dhënë me qira: 33,763 m2 (ose rreth 3.3 hektarë). Sipas regjistrave të QKB-së, kjo shoqëri zotërohet nëpërmjet ndarjes së kuotave prej 50% secila nga dy ortaket: Eriola Osoja dhe Emisa Kimmich.