Detaje të reja janë zbuluar nga dosja e Prokurorisë për operacionin antidrogë “Heshtja”, ku u arrestuan gjashtë persona, mes tyre edhe ish-ministri Astrit Haraqija. Njëri nga të dyshuarit kryesorë, Mërgim Stanovci, vazhdon të jetë në arrati, pasi i shpëtoi aksionit të Policisë së Kosovës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Stanovci dyshohet se ishte njëri nga furnizuesit me kokainë të grupit që drejtohej nga Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”. Ai dyshohet se takohej me “Dajën” dhe Astrit Haraqijan në një objekt banesor në Prishtinë, ku përgatitej dhe ndahej droga në sasi të vogla për shitje.
Prokuroria pretendon se kokaina sillej nga Mërgim Stanovci dhe më pas i dorëzohej Gëzim Fekës, i cili dyshohet se merrej me shpërndarjen e saj përmes anëtarëve të tjerë të grupit.
Ndërkohë, është publikuar edhe një video ku Mërgim Stanovci shihet në një ndejë private bashkë me Jeton Stanovcin dhe Brilant Bahtirin, një tjetër person të dyshuar për trafik droge, i cili po ashtu ndodhet në arrati. Nuk dihet se kur është regjistruar videoja.
Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona gjatë operacionit të së shtunës, ndërsa njëri prej tyre u lirua në procedurë të rregullt.
Avokati i ish-ministrit Haraqija ka mohuar përfshirjen e klientit të tij në veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Të gjithë personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.