Një grua është sulmuar brutalisht nga një majmun në një kompleks banimi në qytetin Vadodara, në shtetin Gujarat të Indisë, duke pësuar plagë të shumta pasi kafsha e kafshoi disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Ngjarja ndodhi në kompleksin e apartamenteve Infinium Flats, në zonën Chhani Jakatnaka, teksa gruaja kishte dalë për shëtitjen e mëngjesit. Majmuni hyri papritur në ambientet e kompleksit dhe iu vërsul asaj, duke e kafshuar vazhdimisht. Britmat e gruas alarmuan banorët, të cilët ndërhynë për ta ndihmuar. Ajo u transportua më pas në spital për të marrë trajtim mjekësor.
I gjithë sulmi u filmua nga kamerat e sigurisë dhe pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar shqetësim te banorët.
Sipas mediave indiane, banorët janë ankuar se prania e majmunëve në kompleks është kthyer në një problem të përsëritur. Ata shprehen se sulme të tilla po shtojnë frikën, veçanërisht te gratë dhe prindërit, të cilët druhen t'i lejojnë fëmijët të dalin apo të luajnë jashtë banesave.
Pas incidentit, autoritetet e pylltarisë nisën kërkimet për kapjen e kafshës. Pas dy ditësh përpjekjesh, majmuni u kap të shtunën, më 14 nëntor, pas një operacioni që zgjati rreth katër orë.
Sipas zyrtarëve, bëhet fjalë për një majmun mashkull rreth katërvjeçar, i cili rezultoi gjithashtu i dëmtuar. Ata shpjeguan se gjatë sezonit të çiftëzimit, nga korriku deri në dhjetor, majmunët meshkuj mund të bëhen më agresivë për shkak të përplasjeve mes tyre.
Banorët kërkojnë masa konkrete nga autoritetet për të parandaluar incidente të ngjashme, pasi prania e majmunëve në zonat e banuara është kthyer në një shqetësim për sigurinë e tyre.