Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me operacionin antidrogë “Heshtja”, ku u arrestuan gjashtë persona, mes tyre ish-ministri Astrit Haraqija dhe 26-vjeçarja Albana Xhemajli-Ramadani, motra e ish-kandidates për deputete të PDK-së, Arbiana Xhemajli.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Albana Xhemajli-Ramadani, e cila dyshohet se bashkëjetonte me Jeton Stanovcin, kishte rol në mbledhjen e parave të përfituara nga shitja e kokainës. Ajo dyshohet se merrte pagesat nga anëtarët e tjerë të grupit, ndërsa çdo të diel kryesisht bëhej barazimi i llogarive për sasitë e drogës së shitur dhe të shpërndarë.
Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”, dyshohet se ishte drejtuesi i grupit. Sipas Prokurorisë, kokaina sigurohej nga disa prej të dyshuarve, ndahej në doza të vogla dhe më pas shpërndahej për shitje përmes personave të tjerë, të cilët përdornin edhe automjete me qira.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit, duke përmendur rrezikun e arratisjes, ndikimit në dëshmitarë, asgjësimit të provave dhe përsëritjes së veprës penale.
Albana Xhemajli-Ramadani është paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale vazhdojnë.
Të gjithë personat e përfshirë në këtë rast konsiderohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.